Urimet më të mira nga Gjergj Ndreka

Urimet më të mira për të gjithë ju miq, edhe nëse për mua ky vit ka qenë plot sfida dhe vështirësi, falënderoj Zotin për gjithçka që kam kaluar. Për këtë vit të Ri ia besoj veten Zotit dhe e falënderoj për dashurinë e tij të mëshirshme. Kjo është dëshira ime edhe për të gjithë ju. Zoti ju bekoftë dhe ju ruajt nga çdo e keqe.

LEKU, fenomeni i vitit

Ndërkohë që gazeta, televizione, portale, organizata dhe indidividë shpallin njeriun e vitit, pothuaj të gjithë kanë neglizhuar atë që bën që të hidhet uji përpjetë…LEK-un.
Leku që gjatë 2023 dërrmoi euron, turpëroi dollarin, poshtëroi paundin dhe shkatërroi frangen zviceriane. Me një fjalë i bëri për një lek!
Në kohën që globi u zhyt në rrënojat e tërmeteve gjeopolitike dhe stuhive financiare, vetëm LEK-u ia doli fitimtar nga kaosi i vitit 2023
Pavarësisht se bota u bë më e paparashikueshme dhe gjithnjë e më shumë i ngjau emisioneve televizive të mbrëmjes, LEK-u shqiptar vijoi i pa shqetësuar ngritjen.  
Shqipëria, Europa e Ballkanit, edhe njëherë tjetër i tregoi Perëndimit dhe pjesës tjetër të globit modelin se si rimëkëmbet ekonomia globale e rrënuar nga luftërat, konfliktet, zgjedhjet “demokratike” dhe kaosi global. Ylli në ngjitje është LEKU!
Ministrat e Financave të G7 kanë pranuar më në fund atë që tregjet financiare kishin kohë që e paralajmëronin: ekonomia globale do të gjejë stabilitet vetëm te LEKU. Harrojeni dollarin, euron, paundin britanik apo frangën zviceriane, është koha e xhevahirit të Mesdheut - Lekit.
“Askush nuk duhet të shqetësohet nga rënia e Euros apo luhatjet e dollarit; të gjithë jemi dëshmitarë të rritjes së pandërprerë të Lekut shqiptar. Ky është fakt”- tha ministri i Financave të Gjermanisë. “Zgjedhja nuk është më në dorën tonë. Zgjedhjen e kanë bërë tregjet”- tha ministri i Financave të SHBA. “Nuk ka më kuptim të themi Leku apo Euro. Është njëlloj si të pyesësh a dëshiron një verë të mire franceze apo një uthull molle bullgare- tha me shpoti ministri francez i Financave.
Ekspertët bien në mendje se është koha për t’i kthyer kurrizin, monedhës globale dollarit dhe për të pritur me krahë hapur - LEKUN.
“Kush heziton, harron se jeton në shekullin e 21-të”- tha ministri i Financave të Kanadasë.
“Para 70 vjetësh ne pranuam që paundi nuk ishte më monedhë globale, sot duhet të tregohemi praktik, të shohim realitetin në sy dhe të mos mbyllim sytë, është koha e lekut”- tha ministri Financave të Britanisë së Madhe.
Shefat e financave të vendeve më të industrializuara të botës kanë vendosur me unanimitet që selia e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) të zhvendoset nga Uashingtoni në metropolin e Durrësit. Harrojeni kryeqytetin zyrtar të Amerikës, është koha që epiqendra financiare e botës të vendoset në qytetin e njohur për plazhin, historinë dhe projektin “Dubai i Adriatikut”. Edhe Banka Botërore do të zhvendosë selinë e saj në Marina Bay në Vlorë. Tirana ishte kandidate e parë për selinë e FMN-së, por zhvendosja në Durrës erdhi vetëm për shkak të trafikut të rënduar nga 10 milionë turistë që vizituan kryeqytetin shqiptar.
Arsyeja e zhvendosjes së BB dhe FMN është rikthimi i paqes në tregjet globale financiare. Asgjë nuk i qetëson më shumë investitorët se valëzimi i valëve në brigjet e Adriatikut dhe Jonit.
Fatet e ekonomisë globale tani janë në duart e lekut.
Kritikës se këto lëvizje fetishizojnë paranë dhe se paraja nuk është gjithçka e nuk të sjell lumturinë, Ministri i Financave të Italisë iu përgjigj:
“E vërtetë. Paraja nuk të sjell lumturinë, por unë preferoj të qaj në Ferrari”
nga fb Lutfi Dervishi 

S’TË DOJA HERO

S’TË DOJA HERO

S’të doja hero, Afrim Bunjaku,
Vëllai im i vogël, vëllai im i madh,
Ani se kurrë nuk ishim parë...

Ti kishe rënë dëshmor aq shumë herë
Me Azem Galicën, me Adem Jasharin
Me këto duar t’i pata mbyllur sytë…

Kishim aq shumë heronj në Kosovë
Pse duhej të bije dhe ti këtë shtator, 
Apo se muranat ende nuk kanë rënë!?

Europa del në dritare e thotë dialog, 
Unë kërkoj një epitaf për ty që shkul malet:
“Kosova asht gjaku im që nuk falet!”

S’të doja hero, Afrim Bunjaku,
Vëllai im i vogël, vëllai im i madh,
Që po shkon në përjetësi duke qeshur. 

25 shtator 2023

Fb: NDUE DEDAJ

Mendoj që fjala "jetë" ka të bëjë me foljen "të jesh".

"Të jetosh" dhe "të jesh" a nuk janë fundja shumë afër njëra-tjetrës? Kjo është një nga foljet më të rëndësishme në historinë e mendimit filozofik. Në gjuhën latine ajo edhe kur nuk është, është, nënkuptohet: historia magistra vitae (est), perseverare diabolicum (est). 
Është folja që shpreh ekzistencën dhe të nxjerr nga anonimati, madje nga asgjëja, nga hiçi. 
A je si je? Është si të thuash: A je gjallë? A ke jetë dhe si e ke këtë jetë? 
Këto që po them nuk janë gjithsesi shkencë etimologjike 😊. Nuk jam gjuhëtar. Por janë ndjesi që përcjellë tek unë fjala "jetë" ndër më të mrekullueshmet fjalë ...
fb: Dom Gjergj Meta 

Me 8 korrik 1919, nga Kallmeti, paria e 12 bajrakëve të Mirditës i drejtonte konferencës së Paqes në Paris

Me 8 korrik 1919, nga Kallmeti, paria e 12 bajrakëve të Mirditës i drejtonte konferencës së Paqes në Paris, një protestë kundër pretendimeve shoviniste sllave për aneksimin e Veriut të Shqipërisë.

“Këto krahina e të gjithë këto qytete janë bamun teatër vrasjesh të parreshtuna, plojesh, salvimesh e jashteqitjesh, të cilat kanë për qëllim sllavizimin e popullsiës. E pra në 1912 Serbia ka pasë shpallun bujënisht Shqipniën për Shqiptarët. Sot drejtësia e tagri shkelen e ndrydhen prej sllaveve.
I lutem Konferencës qe të ketë mirsin me marrë në kujdes të drejtat tona. Asht krejt punë e paudhë qi ti jipen Serbis e Malit Zi. Kërkojmë të drejtën që ti ruhet Shqipnis tansia e po bajmë dëshmië vullnetin tonë se do ta mbajmë domosdo Shkodrën qi ka qene kurdoherë kryeqyteti i saj. Deri sa ky dëshir i ynë të mos vërtetohet, na nuk do të kemi kurrë paqë të sigurueme, e qetsia nuk do të mbretnojë në këto vise.
Tue i urue Italis punë të mbara e të mira e tue shprehun deshirin qe të shohin edhe ma fort të shtrengueme gjalmat qe do të lidhin ketë vend me nji Shqipni të zmadhueme mbas të drejtës, t’unjisueme, të lirë e më vete, po i lutemi Qeveris Mbretnore me i paraqitun Konferencës së Paqës kushtet tona jetike.

Kallmet më 8 korrik 1919.

Të nenshenjuem:

Nikollë Lleshi, bajraktar i Oroshit
Prej krenvet t’Oroshit:
Bibë Llesh Gega, Gjokë Llesh Gega, Tuc Nikollë Gjeta.

Ndue Bajraktari, bajraktar i Spaçit
Prej krenvet të Spaçit:
Gjokë Dodë Lleshi, Nikollë Pjetri, Zef Ndoc Ndreca.

Ndrecë Nikolli, bajraktari i Kushnenit
Prej krenvet të Kushnenit:
Mark Çupi, Frrok Prendi, Ndue Preng Lleshi.

Nikollë Bajraktari, bajraktar i Fandit
Prej krenvet të Fandit:
Prengë Tuc Doda, Gjokë Ndrecë Ndreka, Mark Ndrecë Doda.

Jak Frroku, bajraktar i Dibrit
Prej krenvet të Dibrit:
Mark Boci, Llesh Kolë Deda, Paluc Prenga.

Kolë Gjeta, bajraktar i Selitës
Prej krenvet të Selitës:
Gjon Lufi, Bibë Prenga, Sali Stafa.

Bardhok Prenga, bajraktar i Kthellës
Prej krenvet të Kthellës:
Mark Duka, Ndrec Nikolli, Gjon Nikollë Doda.

Pal Ndue Berhani, bajraktar i Rrazës
Prej krenvet të Rrazës:
Ndue Kola, Ahmet Vokrri, Ali Musta.

Gegë Prendi, bajraktar i Kryezezit
Prej krenvet të Kryezezit:
Zef Simoni, Mark Llesh Ndreca, Ndue Gjoni.

Mark Gjini, bajraktar i Bulgrit
Prej krenvet të Bulgrit:
Gjon Ndoj, Ndue Prendi, Gjokë Nikolli.

Tomë Pjetri, bajraktar i Manatisë
Prej krenvet të Manatisë:
Kolë Gjokë Deda, Ndue Dedë Pjetri, Nikoll Gjin Marku.

Kolë Toma, bajraktar i Velës
Prej krenvet të Velës:
Bardh Doda, Llesh Ndoj, Ndue Pjetri.

Llesh Pjetri, bajraktar i Kallmetit
Prej krenvet të Kallmetit:
Mati Marku, Lazër Pjetri, Mark Prendi. 

Meshtar Nikoll Kimza, delegat peshkopal i Lezhës."
MIRDITA:Histori dhe aktualitet

ROBERT SCHUMAN: BESIMTARI DHE SHTETARI(Në 60 - vjetorin e vdekjes)

ROBERT SCHUMAN: BESIMTARI DHE SHTETARI
(Në 60 - vjetorin e vdekjes)

Nga Gjergj Meta 

“Pa pretenduar të japë një recetë të pagabueshme për problemet në rrafshin praktik – ku zgjedhjen e dikton volia – e kemi thënë duke folur për formën e shtetit dhe të institucioneve të tij – Kisha ka për merak mbrojtjen e interesave të mëdha të qënies njerëzore: lirinë, dinjitetin, lulëzimin e tij. Ajo i kundërvihet gjithçkaje që mund t’u bëhet pengesë. Ajo u kundërvihet kështu të gjitha regjimeve totalitare, qofshin të djathta a të majta”. Këto janë fjalë të cituara nga e vetmja vepër e shtetarit francez, Ministrit të Jashtëm të Francës, Robert Schuman-it, një ndër etërit e Evropës moderne, i cili këtë vit, më 4 shtator 2023, ka 60-vjetorin e vdekjes së tij.  

Do të ishte pa interes çfarëdo përkujtimi vdekjeje apo datëlindjeje, nëse ai kremtim nuk do t’i thoshte diçka aktualitetit, nëse nuk do t’i prekte sadopak mendimet apo ndjenjat e njeriut të sotshëm, apo nëse vepra e tij nuk do të ishte ende e vlefshme në ditët tona. Në këtë rast, interesi është i madh. Schuman vazhdon të mbetet i rëndësishëm edhe sot, gjashtëdhjetë vite pas vdekjes së tij, ndonëse në formësimin e idesë së Evropës dhe në ndërtimin e kësaj ideje, shumë gjëra kanë ndryshuar që nga ajo kohë.

Jo pa qëllim citova diçka nga njëri prej kapitujve të librit të tij “Në emër të Evropës”, i botuar në shqip në vitin 2016. Në fakt, Schuman nuk ishte vetëm një shtetar, por edhe një njeri i ditur dhe një besimtar katolik i devotshëm, që njihte mirë mendimtarët si Jacque Maritain apo Henry Bergson, të cilët i citon vazhdimisht në shkrimet e tij, si dhe historinë e Kishës. Ai kishte një lidhje të fortë me kishën dhe krishtërimin. Ishte një besimtar realist e aspak spiritualist apo devocionalist. 

Në atë kapitull të librit, ai merret me lidhjen që ka krishtërimi me demokracinë dhe e shikon të parin si themel të së dytës, me gjithë ndeshtrashat që kanë kaluar si demokracia ashtu edhe krishtërimi. Schuman është edhe një ithtar i revolucionit francez, pavarësisht se nuk i ndan metodat me të cilat ky revolucion bëri kalimin midis ancient regime dhe një kohe të re, ku individi apo subjekti mendues sipas Dekartit e Kantit, më në fund shikon tokën e mohuar të një mendimi metafizik të pamundur për njeriun. 

Megjithëkëtë, Schuman mbetet një njeri praktik dhe e ka të qartë kufirin midis kishës dhe shtetit, midis religjionit dhe demokracisë. Nuk i kundërvë ata, por i pranëvë. Ai është i bindur se revolucioni demokratik i ka rrënjët te krishtërimi, domethënë te ligji i dashurisë dhe i mëshirës, që ishte një revolucion i Ungjillit në botën perëndimore, por gjithashtu ai është i idesë se “vërtet gjejmë gjurmë të thella të idesë së krishterë në jetën politike bashkëkohore, [por] krishtërimi nuk është dhe nuk duhet të jetë i bashkëngjitur me ndonjë regjim politik, nuk mund të njësohet me asnjë lloj forme qeverisëse, qoftë edhe demokratike. Në këtë pikë si në shumë të tjera duhet ndarë pjesa e Çezarit nga ajo e Zotit”.   

Si një i krishterë praktikant në politikë, Schuman e ka të qartë gjithashtu se teokracia, në çfarëdolloj forme, është një devijim, pasi ajo “nuk pranon parimin e ndarjes së dy fushave. Ajo i vesh idesë fetare papërgjegjshmëri që nuk janë të sajat. Nën një regjim të tillë divergjencat e natyrës politike rrezikojnë të degjenerojnë në fanatizma fetarë; lufta e shenjtë është shprehja më e frikshme e një shfrytëzimi gjakësor të ndjenjës fetare”. 

Aktualisht, në dyert e Evropës po bëhet një luftë, nuancat e së cilës janë të shumëllojshme e faktorët ideologjikë janë edhe të natyrës fetare, pavarësisht se midis të krishterësh. Faktorët janë përzier e kjo është një e keqe më e madhe sesa vetë lufta dhe e përkeqëson atë duke e egërsuar edhe më shumë. Është arritur deri aty sa të flitet për një themel metafizik të luftës. 

Në faqet e veprës së Schuman-it, gjejmë edhe një vlerësim shumë real për Selinë e Shenjtë. “Selia e shenjtë, me pavarësinë e vet, me paanësinë e vet po aq pa interes dhe me politikën e vet aq njerëzore e aq të ndjeshme ndaj të gjitha fatkeqësive e ndaj të gjitha rreziqeve që kërcënojnë popujt, cilado qoftë bindja e tyre, është bërë këshilltari më i dëgjuar dhe më i informuari”. Ja edhe një mënyrë leximi e vlefshme për atë që po bën sot Papa Françesku me magjisterin e tij, me marrëdhëniet dhe qëndrimet e tij për luftën në Ukrainë. Ati i Shenjtë nuk ka reshtur asnjë ditë së kërkuari paqen e së ndërmjetësuari për të me fjalët e tij dhe me njerëzit e tij. Po ashtu, Papa trajton edhe shumë tema të tjera që prekin njerëzimin si: varfëria, drejtësia sociale, përjashtimi social, valët migruese drejt perëndimit, ekosistemi etj., që e rrezikojnë rendin shoqëror duke e bërë shoqërinë njerëzore të pajetueshme. 

Si atë i Evropës, nismëtar i kontratës së qymyrit dhe çelikut midis Francës dhe Gjermanisë bashkë me Monnet-in, Schuman e ka shqetësim të tij të vazhdueshëm Evropën dhe duket se ajo ka qenë vokacioni i tij si politikan. Më 9 maj të vitit 1950, Schuman, asokohe Ministër i Jashtëm i Francës, shpalli deklaratën nismëtare të Evropës, e cila është e njohur si deklaratë dhe duke parë erërat e luftës dhe luftërave që po ndodhin e që mund të ndodhin në të ardhmen e afërt, ia vlen që në fund të këtij shkrimi të sjellim një fragment të bukur të asaj deklarate: “Paqja botërore nuk mund të mbrohet pa përpjekje krijuese me të njëjtat përmasa sa janë edhe rreziqet që e kërcënojnë. Ndihmesa që një Evropë e organizuar dhe e gjallë mund të japë për qytetërimin është e domosdoshme në ruajtjen e marrëdhënieve paqësore.” 

Çfarë ka për detyrë të promovojë sot Evropa, më shumë sesa paqen, duke financuar më shumë në jetët e njerëzve, në zhvillimin e shoqërisë, sesa në rritjen e prodhimit të armëve dhe në shpikjen e tyre?! Evropa ka për detyrë të ngrihet në lartësinë e detyrës që i lanë testament etërit e saj kur nisën ta krijonin, domethënë promovimin e paqes dhe të mirëqenies për të gjithë popujt evropianë dhe jo vetëm.
fb | Dom Gjergj Meta 

Thirrë të Njësisë Administrative Fan, në Mirditë. Sot ishte një ditë e bukur për këdo që lufton për të drejtën.

Sot isha në Thirrë të Njësisë Administrative Fan, në Mirditë, me banorët e fshatrave Thirrë, Sang dhe Hebë, me në krye nënën 89-vjeçare Ruta Bajraktari, luftëtarët 87-vjeçarë, Preng Gjikolaj e Llesh Çupi, dhe miqtë e mirë Ndue Prenga e Besnik Paci. 

Dy vite më parë ata më kërkuan t'i përfaqësoja si avokat në betejën e tyre për ujin e jetës.

Sot, pas dy viteve, përmbarimi shtetëror bllokoi punimet në zbatim të vendimit të Gjykatës Administrative të Apelit për sigurimin e padisë dhe pezullimin e punimeve.

Sot ishte një ditë e bukur për këdo që lufton për të drejtën.


Burimi: fb Adriatik Lapaj 

THIRRJE PËR SPITALIN E SHKODRËS

THIRRJE PËR SPITALIN E SHKODRËS 

1. Prej fundit të muajit Qershor, rezonanca e Spitalit Rajonal Shkodër, që mbulon banorët e Shkodrës, Tropojës, Kukësit, Mirditës/Rrëshenit, Laçit, Lezhës dhe Malësisë së Madhe, është prishur;

2. Numrin e procedurave me skaner e keni ulur nga 20 në 10 në ditë. Përse? Duhet të drejtohen te privati?!

Ndërmerrni masat për të kryer sa më shpejt procedurat e ndreqjes së rezonancës, sepse jeni në shkelje të plotë të ligjit! Merrni masa që skaneri të ofrojë shërbim për të gjithë pacientët! Njoftimin jua bëra publik si fillim. 

Nuk po zgjatem për analizat, sa dhe si vonojnë...

Fb: Adriatik Lapaj 

Askush nuk e mban dot peng pafundësisht një popull.

Miq, vëllezër, motra, koleg, qytetarë brenda dhe jashtë vendit...rruga që kemi nisur është e vështirë. Ju e dini. Ata kanë paranë e vjedhur nga taksat tona. Ata kanë burimet e baltës. Ata kanë lehës që i ndërsejnë pa doganë. Ata kanë ushtri call center-ash që paguhen po me paratë e vjedhura dje dhe sot nga buxheti i shtetit. Ata kur cënohen bëhen bashkë. E vjetra bëhet bashkë. Besoj nuk prisnit që ta shtronin rrugën me tapet të kuq e të hidhnin lule. Parimet e mija dhe ato që i flas popullit u cënojnë status quo-n ndaj jam targeti numër 1 i sulmit të tyre. Është ende fillimi. Lufta do bëhet më e egër prej tyre. Mos u shfokusoni. Atyre u ka ardhur fundi. Modeli i tyre e shkatërroi Shqipërinë këto 32 vite. Nëse nuk më shikoni tu kthehem me të njëjtën metodë si ata, me batare balte e këllirllëqe, mos kujtoni se kam frikë apo nuk kam argument...thjesht jam duke u vendosur përballë standardin e qytetarit dhe vlerave. 

Askush nuk e mban dot peng pafundësisht një popull.

fb Adriatik Lapaj 

Ua tregoj unë skemën.

Pasi e morën peng vendin me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 dhe e kthyen përfundimisht shtetin në kompani private të klasës sunduese filluan e ndan konçesione pa doganë. Konçesionet janë burimi parave të pushtetit të tyre, e që ne i paguajmë çdo ditë. Me paratë tona ata pasurohen në mënyrë "të ligjshme" e me këto para "të ligjshme" blejnë votën në zgjedhje, rrahin kur duan përmes bandave që mbajnë vërdallë, shajnë përmes lukunis së lehësve profesionist kur guxojmë të flasim të vërtetën. Lëshohen e kërkojnë llogari te ata që guxojnë t'i refuzojnë, ndërkohë që heshtin e hollojnë zërin ndaj pengmarrësve të atdheut dhe të gjitha këto me paratë tona. 
Guxo po ta mbajti se të bëjnë të zi më shumë se e zeza. Të qepen e mallkojnë a thua se 32 vite i ke shtypur e vjedhur ti. Përse? Se ke thënë të vërtetën. Se po u thua njerëzve që gomari nuk fluturon. 

Si zgjidhet? Me bashkim. Duke mos ruajtur cepin e sigurtë, por duke u rreshtuar me të drejtën. Nëse qenëria bashkohet atëhere dhe populli duhet të bashkohet e t'i dërgojë për skrap. 

Pse duhet bashkuar? Se ndryshe do vazhdojmë të shtypemi edhe më shumë. 

Tani mbetet populli ta ndajë, a do manipulohet nga ata a do bashkohet të përballet me ata. 

Unë mund të kisha zgjedhur rehatin. Ta mbaja mirë me ta. Të bëja sehir e të komentoja nga sallonet e Tiranës apo jahtet e bregdetit si snob e cinik si vuante e lëngonte një vend i tërë, por jo zgjodha përballjen. Nuk po kërkoj post, po u kërkoj të bashkoheni e tu kërkoni demokratizimin e vendit përmes hapjes së garës, ligjit për referendumet, votës së emigrantëve dhe depolitizimit të administratës zgjedhore.

fb Adriatik Lapaj

Çudira shqiptare: Populli ka mbushur rrugët me fotot e udhëheqsit legjendar historik Luiz Ejlli.

Çudira shqiptare: Populli ka mbushur rrugët me fotot e udhëheqsit legjendar historik Luiz Ejlli.
Në pika karburanti, në dyqane, në mbikalime, në dyert e policisë, në xhamat e makinave, nëpër parukeri.
Duhet surrati Luizit edhe tek LEKU ose pullat postare😀
Ky s’është mjerim ekonomik, por shpirtor dhe mendor!

Fb: Kreshnik Spahiu

Një në tre shqiptarë...


1. Një në tre shqiptarë, emigrant!

2. Një në tre shqiptarë, pensionist!

3. Një në tre shqiptarë,  patronazhist/akt1vist!

4. Një në tre shqiptarë,  me teser partie!

5. Një në tre shqiptarë, mendon se jemi kërthiza e botës!

6. Një në tre shqiptarë, sheh telenovela turke!

7. Një në tre shqiptarë, poston çfarë ha në Facebook!

8. Një në tre shqiptarë, lexon!

9. Një në tre shqiptarë,  proteston për padrejtësitë që mund të bëhen në BB!

10.  Një në tre shqiptarë, në gjyqe!

11. Një në tre shqiptarë, aplikon për llotarinë amerikane!

fb: Lutfi Dervishi 

pse NE, si popull, na tërheqin gjithmonë : hajdutët, tradhtarët, matrapazët, gënjështarët, imoralët, të pabesët ???!!!

Nuk arrij të kuptoj pse NE, si popull, 
na tërheqin gjithmonë : hajdutët, tradhtarët, matrapazët, gënjështarët, imoralët, të pabesët ???!!!

Kemi dëshirë të jemi të gjithë të fortë !

Mburremi shumë dhe kemi si shembull vetëm llumin !

Na pëlqen që të flemë natën dhe në mëngjes të jemi të pasur !

Jemi popull dembel.

Shpresoj të jem në gjëndje ta kuptoj një ditë . . . ! ! !

Pellumb Legisi

Gëzuar...por nuk mund të uroj ata...

Gezuar Festen e Mesuesit tezes time, kumbares time qe jane ne pension tashme. 
Gezuar 7- Marsin mesuese Ines, shoqes time te zemres! 
Gëzuar edhe famullitarit të Rrëshenit që edukon me lëndën filozofi nxënësit e shkollës së mesme profesionale Rreshen 🌹🌹🌹
POR nuk mundem te uroj ata/ ato mesues qe nuk i mesojne por i kane si kavie femijet. 
Nuk mundem te uroj ata/ato mesues qe shkojne ne pune vetem per te mbushur ditarin dhe regjistrin e ne fund te marrin rrogen. 
Nuk mundem te uroj ata/ ato mesues qe mjaftohen me etiketimin eshte “nxenes i keq” dhe nuk e marrin mundimin te merren me ato femije qe kane nevoje per me shume perkushtim e durim. 
Nuk mundem te uroj per kete sistem arsimor qe vetem arsim nuk po ben …
7 Mars 2023

Burimi fb : Domenika Bajraktari 

Mirë u pjekshim o Shqiptari më i drejtë për kombin tonë !

I nderuar kryezot i Shqipërisë !

Erdha prap të fjalosem me ty ! 

Vetëm unë dhe Ti kemi mbetur këtu !

Të gjithë kanë ikur nga këta të paudhët që na drejtojnë dhe duan të na drejtojnë. Si majtas dhe djathtas. 
Vetëm shkatërrim.

Skam ku ankohem ! ?
Vij tek ti, të shfryj dufin që më është mbledhur .

Por kot e kam, dhe Ti ske ç'u bën këtyre më !

E kanë shkatërruar atdheun më shumë se turqit dikur dhe çdo pushtues tjetër.
Të paktën armikut i mbrohesh. Del dhe i lufton.
Por, por me këta të quhet vëllavrasje.
Këta flasin shqip dhe e shkatërrojnë kombin dhe vendin më shumë se të gjithë pushtuesit e mbledhur bashkë.

Këta kanë zhdukur gjithë brezin e ri. 
Si më pyet ti ?
Po ja, - u kanë vjedhur shpresën. Kjo ishtë e fundit sepse të gjitha të tjerat, materiale i kanë marrë. Me toka, si me det, si me flori dhe si me pare.
 
Pse nuk ngrihemi ???

Kemi frikë. 

E bëmë disa here dhe na vranë pa as më të voglin mëdyshje. 
Nuk ua bëri syri tërr. 

Ne u revoltuam aq shumë sa thyen edhe ndonje xham, hodhëm dhe ndonjë gurë në ndonjë lulishte dhe e di si na quajtën ??!!!
Do shkrihesh së qeshuri. 
Na quajtën barbarë, tradhëtorë, e lloj lloj epitetesh na vunë. 
Nuk menduan dhe mendojnë se janë ata me bëmat e tyre që na revoltojnë.

Po e mbyll për sot. 

Do vij përsëri sepse kam shumë për të të thënë. 

Nuk dua të trishtohesh aq shumë me bëmat e këtyre horrave, hajdutëve, langonjve, të paudhëve dhe ti, sepse mendoj do ikësh dhe s'kam më kë flas herë tjetër pastaj. 

Mirë u pjekshim o Shqiptari më i drejtë për kombin tonë !

fb | Anxhelo Legisi

JETA, KJO RENDJE DREJT VDEKJES ...

Jeta është një rendje drejt vdekjes. Data e lindjes, madje do të thoja çasti kur nëpërmjet një mrekullie biologjike ngjizet jeta frymore, duke u bërë një qelizë, e vetmja në këtë univers e aftë për t'u bërë njeri, mbart edhe çastin e panjohur të vdekjes. Mrekullia e jetës së sapofilluar mbart brenda saj edhe mrekullinë e vdekjes. A nuk ju duket kjo ndër gjërat më sfiduese të qënies së ndërgjegjshme? A nuk ju cyt sadopak? A nuk ju shkund nga letargu i një jete të rëndomtë? 

Do të thoja pa mëdyshje se jeta është arti i përgatitjes së vdekjes. Në agun e homo sapiens-it një nga reflektimet e para ka qenë pikërisht ajo mbi vdekjen. Nuk ka në fakt një vizion jete pa një vizion vdekjeje dhe pa pyetjen e pashmangshme: ç'ka ka dhe a ka diçka përtej saj? Qytetërimet e lashta ishin të sigurta se po ka diçka. E kanë menduar në forma të ndryshme çka është përtej duke larguar kështu mendimin tmerrues të asgjesimit total. 

Po ashtu qysh në fillimet e qytetërimit evropian, sidomos në filozofi, vdekja është një nga mënyrat e shfaqjes së jetës. Ashtu si dita dhe nata që ndërkëmbehen si shafqje të së njëjtës jetë, ashtu të gjallët dhe të vdekurit ndërkëmbehen dhe janë fytyrat e së njëjtës jetë. Me Platonin grekët konceptuan pavdekësinë e shpirtit.

Mbi vdekjen reflektuan filozofë e poetë, prifërinj e profetë. Ajo mbetet sot e kësaj dite si shpata e Damokleut mbi kryet tanë. E ekzorcizojmë në mënyra të ndryshme, madje kemi shpikur edhe një fjalor eufemizmash: "ndërroi jetë", "kaloi në jetën e amshuar", "kaloi në amshim", "u kthye te Zoti", "nuk është më mes nesh", "u shua" etj. etj., vetëm e vetëm që mos të themi fjalën "vdekje". Por ajo nuk ka emër tjetër. 

Ne të krishterët besojmë se Krishti nuk bëri eufemizma me vdekjen, por e mori atë mbi vete dhe vdiq. Po po ai vdiq! Ngjallja ndodhi nga vdekja totale e tij. Nuk ishte një lojë, një ndërrim jete etj. Ishte një ngritje nga vdekja dhe me vdekjen e tij ai mundi vdekjen. 

Ndaj për ne të krishterët gjithashtu vdekja është një mënyrë e shpërfaqjes së jetës, madje e vetmja mënyrë e mundshme. "Kush beson në mua edhe nëse vdes do të jetojë" i thotë Jezusi motrës së Lazrit të vdekur. Është ky besim me të cilin ne sot kremtojmë ditën e vëllezërve e motrave tona të vdekur apo sikurse njihet ndrysha dita e Shpirtrave të Purgatorit. 

"Vdekja u përpi në fitore.
O vdekje, ku është ngadhënjimi yt? Ku është, o vdekje, thimthi yt?’
Thimthi i vdekjes mëkati; fuqia e mëkatit Ligji.
Ta falënderojmë Hyjin që na e jep fitoren nëpër Jezu Krishtit, Zotit tonë." (1 Kor 15, 54b - 57) 
D. Gjergji

Luizë, moj Luizë!

Ty t'lumtë moj cucë! Vazhdo vrapo e fito! Shqipërinë do ta bëje krenare nëse ajo do të të kishte dhënë një pistë vrapimi për t'u stërvitur, nëse do të kishte investuar për ty, sepse e dinim në fakt çfarë talenti ti kishe. Por kjo nuk ndodhi! Ti bëre krenare veten e jo Shqipërinë. Atë ndoshta e bëre me turp, sepse u zgjua papritur e të kushtoi statuse sapo ti fitove, por sinqerisht ne atë mbrëmje as garat nuk po ndiqnim. Na lajmëruan mediat, mundësisht ato të huajat që ti ishe kampione. 
E megjithatë ti nuk u zemërove, por u mbështolle me atë flamur kuq e zi. Ne pellazgët krenarë rramë me statuse, nga më i madhi te më i vogli, nga më i gjati te më i shkurtëri, nga më plaku te më i riu e me patetizëm montuam video ministrore me këngë patriotike për ty. Ty nuk të bëri Shqipëria kampione, por vetëm puna jote. Ti e bëre Shqipërinë kampione, kurse ajo bëri statuse në rrjetet sociale për ty. 

Tani ki durim edhe pak ditë Luizë. Sa të të presim zyrtarisht në aeroport, të të ftojmë në zyrat tona, të dalim në foto me ty, të të dhurojmë ndonjë çelës qyteti apo ndonjë qytetari nderi. Se helbete na duhen.

Pastaj ti vazhdo, vrapo e fito! Ne këtu jemi me statuse gati e duart në formë shqiponje si pellazgë të paepur e krenarë.

Fb / Dom Gjergj Meta

Aktet korruptive kanë si nënshtrat mendësinë korruptive

Aktet korruptive kanë si nënshtrat mendësinë korruptive. Aktet dënohen e për këtë mjafton një trupë gjykuese apo dekreti i një eprori. Kurse mendësia, ajo është problem. Nuk ka trupë gjykuese e as epror sado i lartë të jetë që e ndryshon nëse nuk ndryshon nga brenda njeriu.
Twitter/ Gjergj Meta 

po na "qajnë" për demokracinë që e therrën sikur me qenë dashi i librit “Kurbani”

Padyshim mbështes gjithkënd në opozitë që përpiqet të largojë klikën në pushtet.
Por, nuk mundem të kapërdij ata “opozitarët” që ndihmuan Edi Ramën të ndryshonte Kushtetutën, të instalonte regjimin, të prishë çdo lloj mekanizmi demokratik që bazohet në votë. Praktikisht, me zgjedhje sot është e pamundur ta përmbysësh këtë regjim, falë këtyre kolaboracionistëve. E vetmja Rrugë për të ndryshuar pushtetin për fat të keq nuk janë më zgjedhjet, por Rruga. Ligji zgjedhor që imponoi "Rilindja" me votat e këtyre sido që ta rrotullosh kanë me qenë farsë.
Këta “opozitarë” u blenë me paratë e drogës të dhëna në dorë ose me leje ndërtimi, tendera e koncesione të tjera.
Nuk do flisja për ta, nëse sot do të vazhdonin të jetonin në skutën e tyre duke ecur me parimin se çdokush në këtë vend e ka një çmim, por kur i rishoh të ringjiten në organet drejtuese të opozitës së sotme nuk di, mbetem pa fjalë.
Përnjimend këta nuk i honeps dot, kur i shoh në tubime, tribuna, foltore, kurse militantët që para pak muajsh qenë gati t’i shkonin në hu, sot i duartrokasin ethshëm.
Kjo është po aq perverse sa punët e regjimit.
Me gjasë është e fundit herë që flas për opozitën, se del e tepron Propaganda e shtetit që u instalua, falë këtyre njerëzve, të cilët sot po na "qajnë" për demokracinë që e therrën sikur me qenë dashi i librit “Kurbani”.
Edi Rama dhe krijesa e tij e neveritshme, e quajtur “Rilindje” është sot në pushtet, sepse sa herë i vinte dita dilte nga bataku, falë segmenteve që blinte në opozitë.
Fb / Kel Demi